Covid-19: Të vërtetat dhe gënjeshtrat sipas OBSH

by | Aug 4, 2020 | blog

Pandemia e Covid-19 ka shkaktuar një ndryshim të skajshëm në mënyrën tonë të jetesës. Shumë prej nesh jemi të stresuar në ankth për shëndetin tonë si dhe të prindërve apo të dashurve tanë. Që në fillim të hapjes së pandemisë janë bërë shumë spekulime nga jo-specialistë, njerëz të keqinformuar si dhe nga sharlatanë rreth mënyrave të ndryshme që mund të kurojnë ose parandalojnë infektimin nga Covid-19. Organizata Botërore e Shëndetësisë përgënjeshtron këto informacione të gabuara dhe këshillon kundër tyre sidomos sepse mund të shkaktojnë dëme në shëndetin tuaj. Ne kemi listuar përgënjeshtrimin e këtyre legjendave urbane, për t’ju armatosur me informacionin e saktë që të mbroni veten, familjarët, miqtë, kolegët, dhe të gjithë komunitetin që na rrethon.

1) Virus jo bakter

Covid-19 shkaktohet nga një virus, jo bakter, ndaj antibiotikët të cilët luftojnë bakteret nuk kanë efekt për parandalimin apo shërimin e kësaj sëmundjeje. Lani shpesh duart me ujë dhe sapun dhe dizinfektojini ato me dizinfektues me përqindje të lartë alkooli për të parandaluar infektimin me virusin e Covid-19. Tek logical ne sigurojmë dizinfektues me përqindje të lartë alkooli për çdokënd që viziton zyrat tona.

2) Temperaturat e ulëta apo të larta

Covid-19 nuk parandalohet duke u ekspozuar në diell dhe në temperatura mbi 25 gradë celcius. Virusi përhaphet në klima të nxehta, ku ka lagështi. As temperaturat e ftohta apo dhe bora nuk parandalojnë përhapjen e virusit. Larja me ujë të nxehtë nuk parandalon apo kuron virusin dhe as tharësit e duarve me ajër të nxehtë. Lani duart mirë me sapun dhe fshijini mirë me letra.

3) Mënyrat e testimit

Nuk mund të konfirmoni nëse keni Covid-19 nëse arrini të mbani frymën 10 sekonda pa u kollitur siç është përhapur në një tjetër legjendë urbane. Skanuesit termikë masin temperaturën nuk diktojnë nëse keni apo jo Covid-19. Nëse keni temperaturë mbi 37.5 gradë dhe simptoma të tjera si kollë, vështirësi në frymëmarrje, telefononi 127 për të kërkuar të testoheni dhe kërkuar trajtim nëse jeni infektuar nga Covid-19. E vetmja mënyrë për të verifikuar që keni Covid-19 është të bëni tamponin, testet laboratorike. Nëse keni temperaturë të lartë, mos rrezikoni familjen, kolegët, komunitetin tuaj. Verifikoni duke bërë testin para se të dilni nga shtëpia. Mbani maskën dhe distancën.

4) Kurime tradicionale

Piperi, hudhra, pijet alkoolike nuk kurojnë Covid-19 dhe nuk parandalojnë infektimin nga virusi. Ndërsa hudhra vërtetë mund të rrisë imunitetin, ajo nuk është shëruese e virusit. Konsumimi i tepërt i pijeve alkoolike është i dëmshëm ndaj duhet të bëni kujdes. Përdorimi i salinës, ujit të kripur, etj për hundën tuaj nuk parandalon Covid-19. Po kështu nuk është shpikur ende një ilaç specifik për Covid-19, ndaj mos i besoni sharlatanëve që hiqen si mjekë popullorë që e kanë këtë kurë.

5) Vaksinat dhe “Hidroksiklorokina”

Hydroxychloroquine (hidroksiklorokina), një mjekim për malarien dhe artritin, nuk është një kurë apo parandalues i infektimit nga Covid-19. Testimet ndaj pacientëve me Covid-19 nuk kanë dhënë prova se kjo substancë kuron pacientët me Covid-19 si me simptoma të lehta, po dhe me raste rreziku për jetën. Për më tepër kjo substancë e konsumuar pa supervizimin e mjekut dhe kur nuk jeni të sëmurë me malarie apo sëmundjet e tjera për të cilat përdoret, mund të jetë e rrezikshme për shëndetin tuaj. Gjithashtu nuk ka ende një vaksinë që parandalon infektimin nga Covid-19 dhe vaksina e pneunomonisë apo vaksinat për gripet e tjera nuk parandalojnë infektimin me Covid-19

6) Si të përdorni dizinfektuesët

Shumica e dinë, por gjithsesi, sa për siguri, OBSH ka vënë alarmin: Mos konsumoni klor, etanol, metanol apo dizinfektues të tjerë dhe mos i ekspozoni sytë, gojën, hundën ndaj këtyre substancave të cilat janë helmuese. Përdorni dizinfektuesit vetëm për të pastruar shtëpinë, zyrën, mobiljet, objektet që përdorni dhe prekni, rrobat, etj. Përdorni alkoolin për të dizinfektuar duart dhe ujin me sapun. Uji i nxehtë pa sapun nuk dizinfekton virusin. Mos përdorni llampa ultra-violetë për dizinfektim, pasi janë të dëmshme për lëkurën tuaj.

7) Përdorimi i maskës

Përdorimi i maskave mjekësore/farmaceutike nuk shkakton intoksikim nga dioksidi i karbonit CO2 apo mungesë oksigjeni. Por këto maska një-përdorimshme duhet t’i hidhni në mënyrë të sigurtë në kosha të mbyllur menjëherë pasi i keni hequr, dhe mos i përdorni më shumë se gjatë një dite pune. Mos përdorni maska kur bëni ushtrime fizike. Për të shmangur infektimin tuaj apo të të tjerëve, mbani distancën e nevojshme, të paktën një metër nga njerëzit e tjerë.

8) Covid-19 nuk transmetohet nga:

Covid-19 nuk transmetohet nga mizat shtëpiake apo pickimet e mushkonjave. Mushkonjat të bëjnë dëmin për arsyet e përhershme, por jo kur është fjala për Covid-19 (nuk e kanë atë aftësi). Ndërsa mundësia e infektimit me Covid-19 prej këpucëve është shumë e ulët, hiqini këpucët kur futeni në ambiente ku fëmijët luajnë në tokë.

Nëse jeni të infektuar apo dyshoni se jeni të infektuar, karantinimi është esencial. Ndërsa disa njerëz mund ta kalojnë sëmundjen më lehtë, të tjerë mund të rrezikojnë jetën e tyre. Legjenda urbane më e rrezikshme në këto momente është se nuk ka problem nëse infektojmë të tjerët kur jemi sëmurur vetë, pasi të gjithë do ta marrim një herë të paktën. Ne mund të evitojmë maksimalisht infektimin e individëve në komunitetin tonë duke respektuar protokollet e udhëzuara nga autoritetet përkatëse. Ndërsa disa njerëz e kalojnë me pak vështirësi ose pa simptoma virusin, të tjerët rrezikojnë jetën. Dalja nga karantina kur jeni të infektuar është e barabartë me një krim të dhunshëm ndaj personave të tjerë, pasi ju rrezikoni jetët e tyre. Informohuni dhe jepni kontributin tuaj duke ulur numrin e viktimave të pandemisë, dhe dëmeve ekonomike që e shoqërojnë. Për më shumë informacion drejtohuni tek Instituti i Shëndetit Publik.