Si të punojmë nga shtëpia në kohën e COVID-19

by | Apr 20, 2020 | Lajme

Si kompani B2B, puna jonë në logical është e varur në mënyrë direkte tek bizneset e shitjes me pakicë, bar-restorantet, dhe distribucionit me të cilat ne operojmë. Rregullat e marra nga qeveria për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në kushte në të cilat shteti ynë i vogël nuk është i aftë t’i përballojë, ka lënë pezull punën e një pjese të mirë të klientëve dhe partnerëve tanë, ndërsa marketet, distribucioni vazhdojnë të operojnë, megjithëse me volum pak më të cunguar se zakonisht.

Për këtë arsye ne vazhdojmë të jemi në krye të detyrës, për të ofruar suportin më të mirë në treg për klientët tanë, dhe për të vazhduar së zhvilluari aplikacione dhe zgjidhje të reja të cilat i përshtaten realitetit të ri në të cilin jetojmë, si për shembull zgjidhja logiSTORE, platforma jonë e re e e-commerce për të kthyer bizneset në dyqane online, dhe për të ndihmuar biznesmenët e rinj të hapin dyqanin e tyre online. 

Por më e rëndësishmja për ne qëndron mirëqenia e punonjësve tanë. logical ndërtoi menjëherë një sistem për remote work (punë nga shtëpia). Zyrat tona mund të jenë pothuaj bosh në këtë kohë, por stafi ynë është i gjithi në punë në rehatinë apo parehatinë e kushteve shtëpiake. Ja disa mënyra në të cilat ne kemi mundësuar punën nga shtëpia, aspektet teknike, aspektet sociale, dhe së fundmi disa këshilla për të përballuar distancën nga kolektivi i punës (pasi vërtetë jemi IT, por ndryshe nga stereotipet, ne jemi goxha socialë).

1) Lidhje me remote

Gjithësecili në logical punon nga kompjuteri personal, por duke u lidhur me VPN client me rrjetin e kompanisë, të mundësuar nga sistemi i operimit Windows apo MAC, si dhe me Remote Desktop për të mundësuar lidhjen direkte me kompjuterin e punës. 

2) Beso po Kontrollo

Sado diligjentë që jemi të tërë në punën që jemi duke bërë, mënyra më e mirë që kanë përdorur prej vitesh shumë kompani që punojnë online, është një tip aplikacioni që mundëson marrjen e screenshoteve për të mundësuar kontrollin e punës. Ne përdorim Workpuls si zgjedhjen tonë që të mos harrojmë se megjithëse jemi në krevat, tavolinë buke apo desk ku bënim një herë e një kohë detyrat e shtëpisë, jemi sërish në vendin e punës, dhe diligjentë për detyrat tona. Ndërsa check-in dhe check-out në zyrë, ku regjistrojmë oraret tona në punë dhe kërkesat për leje, kemi disa vite që i realizojmë me një partner të jashtëm, Purely HR.

3) Kontakti me klientët

Që para fillimit të krizës së pandemisë, ne kemi përcaktuar një Ticket System me platformën Jira për t’ju përgjigjur kërkesave të klientëve për suport për aplikacionet tona që ata kanë në përdorim dheTeam VIewer për të aksesuar pajisjet desktop apo mobile në distancë (remote) me lejen e klientëve për të zgjidhur probleme që ata mund të ndeshin gjatë punës. Por si gjithmonë vazhdon dhe teknika e vjetër, telefonatat! 

4) Distancë Sociale, Afrim Dixhital

Sipas rregullave, duhet të ruajmë distancën sociale një metër nga njëri tjetri. Shumica prej nesh përveç menaxherëve të shitjeve, jemi kilometra larg nga njëri tjetri, dhe na mungon pushimi i drekës apo i cigares dhe kafes me njëri tjetrin, tortat e ditëlindjeve (që ç’është e vërteta në Mars dhe në Prill na bien pothuaj të gjitha). Për të shmangur izolimin dërrmues, stafi i logical ka përdorur Google Hangouts dhe Whatsapp për chat, Google Meet për video-calls. Kemi përdorur këto mënyra insta-messaging për arsye pune, por shpesh edhe për të ndarë ndonjë meme te lezetshme, të re apo të vjetër. Na mbaruan memet një ditë sa iu kthyem debatit të Yanny Vs. Laurel, dhe fustanit bardhë dhe flori apo blu dhe zi (TBT, When back When). Gjithësesi pavarësisht distancës me kolegët tanë po mundohemi të ruajmë ndjenjën e kolektivit përmes platformave dhe komunikimeve sociale dixhitale. Kjo është bota e re (për tani).

5) Puna nga shtëpia, me të shtëpisë

Disa prej nesh jetojnë vetëm, disa me mamin, babin, gjyshin, vëllain, farefisin, të tjerë kanë fëmijë të vegjël, të tjerë jetojnë me shoqe apo shok shtëpie për të ndarë qeranë. Kemi filluar të njihemi më shumë me njerëzit prej të cilëve 8 orarshi i punës na mbante në distancë. Deri diku ky kontakt social na bën mirë që të rinjihemi me njerëzit e afërt. Në anën tjetër izolimi me një grup të vogël njerëzish për një kohë të gjatë (akoma më tepër vetëm) ka efekte negative ankthi dhe depresioni sipas disa ekspertëve. Prandaj ato ecjet me leje nga e-albania për një pazar apo një xhiro me biçikletë janë mrekullira të vogla. Por për sa i përket punës në shtëpi, është e vështirë kur flet me një klient dhe të vjen fëmija 3 vjeç dhe kërkon të hajë, apo kur mami të thotë shko hidh plehrat, i thuaj jam në një “call”, dhe të thotë po të bëj çaj dafine për kollën, apo kur këngëtari në familjen tuaj fillon këngën kur jeni në një telefonatë me klient. Përdorni kufje të mira, mbyllni dyert me çelës dhe nëse klienti dëgjon ndonjë gjë që nuk duhet, jemi të gjithë në të njëjtën situatë, ndaj nuk është ndonjë problem i madh.

5) Heronjtë e vërtetë.

Gjyshërit tanë ishin heronj pasi shkonin në luftë për të luftuar Gjermanin. Lufta jonë është të rrimë në shtëpi sa më shumë që të mos infektojmë veten duke shtuar numrin e pacientëve dhe vënë më shumë nën presion dhe rrezik doktorët dhe infermierët, apo të mos infektojmë njerëzit që duam dhe janë më vulnerabël, si prindërit dhe gjyshërit tanë të dashur. Por ka dhe disa heronj të vërtetë që nuk duhet t’i harrojmë: Janë ata që ndryshe nga shumë prej nesh nuk mund të punojnë nga shtëpia. Këta janë punonjësit e marketeve, distributorët nëpër dyqane, distributorët e produkteve në shtëpi (faleminderit që më sollët një desk brenda 12 orësh nga dhënia e porosisë o heronj), mbledhësit e plehrave dhe çdo punonjës tjetër që është aty jashtë në rrezik për t’u infektuar çdo ditë. Po kështu janë stafi i logical që del në zyr apo shkon në takime tek klientët tanë për të vazhduar jetën e kompanisë tonë.

6) Si ruhemi kur dalim nga shtëpia

Punonjësit e shitjes dhe një pjesë e suportit del në zyrë ose në takime. Si ruhen ata? Ne rekomandojmë për të gjithë mbajtjen e maskave. Shkoni në rrobaqepësi dhe merrni maska disa përdorimshme që mund të lahen me 90 gradë për të ruajtur ambientin nga maskat njëpërdorimshme. Përdorni doreza por kujdes kur me dorezat me të cilat keni prekur bankomatin, pastaj prekni telefonin dhe nuk e dizinfektoni. Përdorni alkoolin për të dizinfektuar pajisjet si derën dhe timonin e makinës, celularin, kompjuterin. Dhe lani lani lani duart mbi 20 sekonda, dhe gërryeni mirë dhe poshtë gishtave (dhe ajo është punë më vete). Lani duart si një kirurg para kirurgjisë. Hapni dritaret për diell, ajrosni xhupat në diell, dhe lani rrobat nëse jeni ulur në ambiente jo të sigurta. Dhe kur punoni me klientë si menaxherët tanë të shitjes, takohuni pa i dhënë dorën. Së fundmi, mos harroni të merrni lejet e qarkullimit për makinat personale apo të punës, dhe nëse do të ecni në këmbë, shkarkoni aplikacionin dhe kërkoni leje dalje tek e-albania. Është shumë e thjeshtë. Unë e përdor çdo ditë për të shkuar në market.

Shumë prej nesh janë me fat pasi punojmë nga shtëpia duke ulur riskun e kontraktimit të virusit. Jo të gjithë e kanë këtë fat, dhe ata janë heronjtë e vërtetë të kësaj krize që po kalojmë. Gjithsesi të gjithë kemi nevojë për ndihmë për të kaluar këtë situatë e cila është e rrezikshme për shëndetin mendor, aq edhe atë fizik. Kujdesuni për veten dhe mbani të afërmit tuaj sa më afër, qofshin ato familjarë, miq, apo dhe kolegë. Dhe nëse keni nevojë për pak ndihmë ekstra, faqja Fondacioni së Bashku në Facebook do ju japë çdo këshillë për të cilën keni nevojë për ta kaluar me sa më pak dëme këtë krizë. 

 

Qëndroni në shtëpi!